Jeta e përditshme po kthehet gradualisht në normalitet në qytetin kufitar turk të Akçakalesë, ku një mortajë siriane goditi një shtëpi më 3 tetor, duke vrarë pesë civilë.
«Jemi rikthyer në jetën tonë rutinë. E vetmja gjë e pazakontë këtu janë gazetarët që shëtisin përreth. Kur të largoheni nga këtu, Akçakale do të jetë praktikisht përsëri në normalitet», tha për Hürriyet Daily News një pronar dyqani në Akçakale.
Distrikti Akçakale i provincës juglindore Şanlıurfa të Turqisë është bërë një destinacion popullor për gazetarët turq dhe të huaj që kur trupat turke iu kundërpërgjigjën zjarrit me mortaja në Siri, pasi predha siriane goditi qytetin më 3 tetor. Shumë gazetarë po vijnë për të vizituar shtëpinë që u godit nga mortaja dhe portën kufitare të Akçakales, e cila tani është e mbyllur.
Jeta kthehet në normalitet në AkçakalePërveç këtyre dy vendeve, qyteti duket se është i qetë. Vetëm fëmijët e thyejnë heshtjen. Në fakt, nxënësit e shkollës së Akçakales kanë qenë banorët më të prekur nga konflikti i vazhdueshëm sirian dhe përplasjet e intensifikuara në Siri pranë kufirit turk. Shkollat u hapën më 19 shtator, por nxënësit mundën të ndiqnin shkollën vetëm për tre ditë para se shkollat e qytetit të mbylleshin pasi mortaja e parë goditi një shtëpi në Akçakale, duke plagosur disa persona. Nuk është e qartë se kur do të rihapen shkollat, por thashethemet në Akçakale thonë se nxënësit do të kthehen në mësim të hënën, më 8 tetor.
Ndërkohë, mobilizimi i shtuar ushtarak rreth Akçakalesë vazhdon ende. Tanket dhe raketat turke shihen të jenë të vendosura drejt Sirisë përgjatë kufirit, ka vënë re Daily News.
(Hürriyet Daily News)


