Rebelët sirianë kanë zhvendosur bazën e tyre komanduese nga Turqia në “zonat e çliruara” brenda Sirisë, me qëllim bashkimin e forcave rebele të copëtuara dhe përshpejtimin e rënies së regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
"Komanda e Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) është zhvendosur në zonat e çliruara të Sirisë pas marrëveshjeve të bëra me batalionet dhe brigadat për të siguruar këto zona," tha shefi i FSA, kolonel Riyadh al-Asaad në një video të postuar në internet. Hapi tjetër do të jetë “çlirimi” i kryeqytetit Damasku, shtoi ai.
Brig. Gjenerali Mustafa al-Sheikh, i cili kryeson Këshillin Ushtarak, i tha Associated Press se grupi kishte bërë këtë lëvizje javën e kaluar. Ai nuk ka thënë se ku ndodhet selia e re dhe nuk ka dhënë detaje të tjera.
Al-Sheikh tha se lëvizja e komandës "do të përshpejtojë rënien e regjimit sepse do t'i japë një shtysë të madhe moralit të rebelëve dhe do të ketë një komandë për të ndjekur operacionet".
"Tani ka zona të çliruara dhe është më mirë që komanda të jetë me rebelët në vend që të jetë jashtë vendit," tha al-Sheikh në një intervistë telefonike nga Turqia. Gjenerali tha se kohët e fundit kishte shkuar e rikthehej mes Turqisë dhe Sirisë.
“Transferimi do të lejojë që qendra komanduese të jetë më afër luftëtarëve”, tha ai për Agence France-Presse.
FSA tha gjithashtu se tani kontrollon pjesën më të madhe të vendit të shkatërruar nga lufta. Një komandant rebel tha se epërsia ajrore e regjimit ishte e vetmja gjë që pengonte Ushtrinë e Lirë Siriane të merrte kontrollin e kryeqytetit. “Ne kontrollojmë pjesën më të madhe të vendit. Në shumicën e rajoneve, ushtarët janë të burgosur të kazermave të tyre. Ata dalin shumë pak, por ne mund të lëvizim lirshëm kudo, përveç Damaskut”, tha koloneli Ahmed Abdel Wahab.
Ndërkohë, ushtria turke vendosi automjete të blinduara dhe armatime të rënda në kufirin me Sirinë më 22 shtator, pranë një vendkalimi që ka parë luftime intensive midis rebelëve dhe forcave qeveritare. Dislokimi thuhet se është në qytetin Akçakale, një zonë ku në fillim të kësaj jave civilët turq u plagosën kur plumbat dhe granatimet e humbura kaluan kufirin nga provinca siriane al-Raqqa. Ushtria zhvendosi tre Howitzer dhe një armë kundërajrore në kufi.


